“Unë të votova ty, ti votoje trustin”, qytetarët kërkojnë votimin e Trustit

                                        Me kërkesën që të lejohet tërheqja e mjeteve deri në 30 për qind nga Fondi Pensional, qytetarë e deputetë të vendit kanë protestuar para objektit të Qeverisë të enjten. Ata kanë kërkuar nga Qeveria dhe pushteti që të lejojnë një gjë të tillë, duke thënë se janë mjetet e tyre dhe jo të Qeverisë. Me pankarta në duar, protestuesit kanë kërkuar nga deputetët që në seancën kur do të vijë për votim ky Projektligj, ta votojnë “siç i votuan ata për deputetë”  “Unë të votova ty, ti votoje trustin”, “Djersa është e jona, lejoni kursimet tona”, “Trusti është i joni jo i Qeverisë”, ishin disa nga thirrjet e qytetarëve në këtë protestë. Për tërheqjen e mjeteve nga Trusti janë shprehur edhe punëtorë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Kjo sipas kryetarit të Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumica, mbi 90 për qind e tyre janë shprehur pro kësaj tërheqjeje. E organizatori i kësaj proteste, Adnan Jashari, ka thënë se protesta do të përsëritet nëse nuk votohet pro tërheqjes së Trustit. Pjesë në këtë protestë janë edhe disa deputetë të PDK-së dhe AAK-së. Opozita është pro lejimit të një tërheqje të re nga Trusti, por pushteti këmbëngul se një gjë e tillë do ta dëmtonte ekonominë e vendit.Ndryshimi ligjor që mundëson tërheqjen ka shkuar në Kuvend pa aprovimin e Qeverisë dhe të Komisionit të Buxhetit.Protestuesit kanë paralajmëruar protesta tjera nëse nuk lejohet tërheqja.