Visare -Njëra nga shtëpitë më të bukuar në Prizren , shtëpia e Shemsidin Kirajtanit
Shtëpia e Familjes Kirjatani gjendet në Zonën Historike të Prizrenit dhe është ndërtuar në fillim të shek. XIX. Është shtëpi qytetare me karakteristika vendore, e formësuar në dy kate dhe bodrum. E projektuar si shtëpi me dy etazha, kati i parë i së cilës do të shtrihej në tërë sipërfaqen e përdheses, objekti nuk është përfunduar për arsye ekonomike, duke e lënë në gjysmë katin e parë dhe duke gjetur një zgjidhje, e cila mbulon dy anët e mbetura të përdhesës me kulm dy ujor. Në këtë mënyrë kjo shtëpi rezulton me një tipologji më të veçantë në krahasim me objektet tjera të banimit të ndërtuar gjatë shek. XIX. Në përdhesë gjendet hajati në mes, i cili shërben edhe si hapësirë hyrëse. Nga hajati vazhdohet në korridor ku janë të vendosura tri dhoma dhe shkallët e drurit që shpijnë në kat. Kati i papërfunduar përbëhet prej hollit dhe një dhomë në pjesën lindore. Ndërtesa është ndërtuar me kombinim të gurit të lidhur me llaç gëlqeror, për muret e themeleve, bodrumit dhe përdhesës deri në një lartësi 1 metër, dhe qerpiçit me trarë druri në sistemin bondruk, për strukturë të mureve. Kulmi që e mbulon përdhesën është tre ujor, kurse kulmi që e mbulon pjesën e katit është katër ujor, i mbuluar me tjegulla të luguara argjile. Fasada e objektit është simetrike, me elemente karakteristike të ndërtimeve tjera në Prizren, por me një veçanti në dukje e cila vjen si pasojë e mospërfundimit të objektit. Dhoma në katin e parë jep pamjen e një baxhoje të madhe në kulm. Elementet karakteristike të enterierit si dritaret, tavanet, dollapët janë nga druri të përpunuara me shumë mjeshtri. Bie në sy përpunimi i tavaneve prej druri me dekorime gjeometrike. Si elemente të rëndësishme kulturore janë pasqyrat e sjellura nga Turqia nga njëri prej pronarëve, i cili me profesion ka qenë berber. Hyrja në shtëpi behët nga porta kryesore, përmes oborrit të shtruar me kalldrëm. Në oborr, në pjesën lindore gjendet mutfaku që daton nga periudha e ndërtimit të shtëpisë. Para shtëpisë gjenden gjurmët e kanalit të ujit të punuar me gurë lumor, nëpër të cilin rridhte uji i lumit që shfrytëzohej për nevojat e shtëpisë dhe vazhdonte edhe nëpër oborret fqinje. Gjatë kohës në ndërtesë janë bërë disa intervenime me qëllim të adaptimit në kushtet moderne të jetesës. Në vitin 1970 është ndërtuar një aneks në anën veri-perëndimore ku është vendosur kuzhina dhe nyja sanitare. Në vitin 2011 në kuadër të programit Intervenimet Emergjente të financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është bërë restaurimi i kulmit. Me formën karakteristike dhe integritetin e ruajtur të ndërtesës me oborr, kjo shtëpi paraqet një objekt banimi me vlerë të lartë historike dhe artistike./Marrë nga fb i Fellanza Kirajtani/