Çaste poetike me poeten ;Eli Zeneli
T’I BESOSH VETËM NJERIUT
——————————————–
Ti besosh vetëm njeriut,
Por jo çdo dykëmbësh është njeri,
Më pat thënë babai
Mua çapkënës së papërmbajtur.
Kanë kaluar shumë vite
E babai nuk është më në këtë botë
Për të më mbrojtur nga rrebeshet
Me urtësinë e tij prej filozofi.
Kërkimi im për ta gjetur njeriun,
Ku mund ta adresoj besimin
Në shtatë mrekullitë e botës
Nuk u ndalë në asnjë kufi
Të dukshëm apo të padukshëm.
Mua çapkënes së papërmbajtur
Më pat thënë babai
Se njeri nuk është çdo dykëmbësh,
Prandaj t’i besosh vetëm njeriut!