Çaste poetike me poetin;- Gëzim AJGERAJ

NJË DITË
——————–
Një ditë mund të mos zgjohemi më.
Rrugës mund të jemi ndeshur me ikjen,
ose diku në një shteg na ka pritur pusi.
Ndaloni rrapëllimën mbi kalldrëmet e mashtrimit!
Tanimë është koha t’i braktisim të gjitha,
udhët e rreme, orët që matën gënjeshtrën,
dhe mallkimet që s’ushqyen asnjë gojë.
II.
Kthimet le të kthehen andej nga erdhën,
atje ku guri i ftohtë pret pa kushte.
Malli le të mbyllet nëpër kronika,
dhe fjala le të pushojë brenda librave të pluhurosur.
Të vijë ajo ditë e të mos zgjohemi,
pa i thënë “mirëmëngjes” as vetes, as ditës,
pa përshëndetje miqsh e pa lamtumira të gjata.
III.
Të mbetemi thjesht një kujtim mes faqeve,
një relikt i së djeshmës që nuk zgjedh më.
Të marrim me vete vetëm kohën, kokën,
mbathjet e ikjes dhe gurin tonë.
Njeriu që ikën nuk ka më nevojë për fjalë të mëdha,
ai thjesht liron skenën për të tjerët.
/QendraPress/