Fryma poetike e së dielës me poeten:Rudina Muharremi BEJA

NJË TJETËR NATË

————————————–

Një tjetër natë digjet nën thëngjij,

përtej, dita sërish do të fillojë trishtë.

Mendimet e mia bëhen memece.

Thërrmohen përballë tragjedive

rrokullisjes së pashpirt vijëzave të fatit,

thellësive të pafundme,

si të duan të përhumben, për të udhëtuar më pas mëngëve të qyteteve

përmes tingujve të bronztë të kambanave,

e për të mbërritur portave të shkreta

ku bukuria përbuzet dhe paqja mohohet.

Zot,

Bekoji hapat e mi

dhe mendimet e mia që fluturojnë mbi ata qiej

ndoshta për t’u ulur fronit të atyre shpirtrave,

radhëve të kurmeve braktisur mëshirës

viseve ku jehona ngjan se do jetë e përjetshme

e ku vdekja vijon të sajojë mozaikë…

/www.qendrapress.com/