Çaste poetike me poeten:-Xhemile ADILI

DRITË PËR YLLIN TIM

—————————————-

Ja,

Këtu në dheun që të lindi,

Të kam ndërtuar parajsën, biri im!

Dhe ty të dhashë

Penën dhe ngjyrat e mia,

Merri e pikturo dhe ti parajsën në jetë,

Ashtu si e pikturova unë në vargje,

Pikturoje dhe futu brenda, të thashë,

Kur ishe i vogël,

E buza jote ende nxirrte qumështin tim,

Që ta dhashë në mes të arave,

Sa ty,sa kallirit të jetës.

Jeta është e çuditshme, biri im!

Je vetëm një yll i vogël

Në gjithë këtë orbitë,

Je një pikë loti

Në gjithë këtë oqean,

Ti ylli dhe loti im!

Po loti të mëson, biri im!

E ylli të bën dritë,

Të mos shkelesh qumështin e nënës

Nëpër korridore të errëta,

Që jeta nxin.

Dhjetor 1998

/www.QendraPress.com/