Fryma poetike e së dielës me poetin;-Sabit RRUSTEMI

E NESËRMJA QË E ËNDËRROJMË PËRDITË

( apo: N A N A duke e shtyrë moshën nën rrezet e shkurtit ….)

————————–

Sytë iu rrudhën

iu lodhën duke shikuar prej brenda

se si vjen e ikën dita pa e parë

pa e prekur

e pa ia marrë më t’mirën e saj

Po Stina e Katërt herë ia beh me një qiell të ngrysur

herë me një mjegull që ia errë dhe dritaren

apo dhe me një puhi të ftohtë mali

që ndërkohë kthehet në Jugën që zdirgjet tatëpjetë Grykës

dhe s’ka se si del

se shfaqet një rigë e imtë shiu

apo kimon borë

Ka kohë që e kanë tradhtuar këmbët

krahët

dhe ai bosht kurrizi

që e kërrusë trupin e saj të drejtë

Sa barrë të rënda kohësh barti e shprazi

nuk do t’i përballonte asnjë deponi e sotshmë

në ndonjë lugajë

a humnerë

pos supeeve të saj

E

nuk jepet

se është Nanë

Kur rrezja e mesdites i ngroh dritaren

ajo veten e sheh jashtë

pas sa kohësh

e nuk ngurron të na thotë

edhe dje, pardje e partjetridje kam dal si sot

me mendje kam dalë gjithë

që nga motmoti i djepit e k’nej

Nuk mund të rrija brenda

se m’bëhet sikur ditën po ma vjedh nata

ajo natë të cilën dikur ia falja ditës

me dëshirë

`

Sa ma ka ëndja ta dëgjoj

njëjtë si dikur

kur ma qepte e vishte këmishën e gjatë

apo kur më vonë më përcillte me qengja

a në shkollë …

Nuk e trazoj më tej

se dhe mua mund të më tradhtojë ndonjë lot

Vetëm e shikoj se si ajo rreze dielli

ia ndritë e ngrohë atë fytyrë

dhe ajo rrëmbehet nga mendimet

për aq sa i kujtohen

harron për t’u kthyer brenda

Veç sa dola

a po më doket mue

Ç’t’i them emrit më të shenjtë të kësaj bote

si t’ia prishë gjithë atë lumturi që sapo e riktheu

nën rrezet e shkurtit

Dielli tashmë varet pas Kopilaqës

dhe një ftohtësi mbrëmjeje

e pushton pahetueshëm

Hajde Nanë

se po na pret buka jonë e përditshme

hajde hyjmë

… se nesër dalim prapë tej dritares

edhe përmes shikimeve

derisa t’i forcojmë këmbët

të ecurat

Hajde, hajde

se e nesërmja s’na harron

thotë dhe ajo

… e nesërmja që e ëndërrojmë përditë

Në Natën e Midist të Dimnit, 3 shkurt 2025

/QendraPress.com/