Çaste poetike me poeten:-Elmije AJAZI

NËNA QË RRITI LIRINË
—————————————-
Mos e quani thjesht skulpturë…
Ajo është frymëmarrja e gurit
për një emër të shenjtë: Zahide Jashari.
Nënë që i dha Kosovës jo vetëm një djalë,
por një epokë.
Nënë që qëndroi, kur shtëpia digjej
dhe pushka e lirisë nuk ndalej.
Nënë që nuk i bëri be vdekjes, por e rriti
jetën me gjakun e djemve të saj.
Ajo nuk bërtiti, as nuk vajtoi me zë ,
ajo foli me heshtje që dridh zemrat edhe sot.
Po të kishin gurët zemër, do dridheshin para saj.
Po të flisnin malet, do e thërrisnin: “Nënë e të gjithë neve.”
Ndoshta sytë e saj nuk qajnë më,
por ne jemi lotët e saj , të mbledhur në liri.
Jemi amaneti që mbijetoi, sepse ajo nuk u ligështua.
Sot, një skulpturë që duket e heshtur,
por në të fle një histori që rënkon.
Një kujtim që nuk vdes.
Një falënderim që kurrë s’mjafton.
/QendraPress/