Çaste poetike me poeten;-Luljeta LUBOVCI

PLAGËT E MIJA E DINË SE KUSH HUMBI

—————————————————–

Plagët e mia

nuk janë veç shenja mbi trup,

janë faqe të shkruara

me dhimbje e me heshtje,

nga një jetë që shumë herë

u mundua të më rrëzonte.

Çdo shenjë në trupin tim

e di një histori,

çdo dhimbje e vjetër

e mban një natë pa gjumë,

një lot të fshehur,

një betejë që askush s’e pa.

Jeta më goditi fort,

më provoi deri në palcë,

më la në udhëkryqe

ku edhe shpresa

dukej sikur kishte harruar emrin tim.

Por unë…

u rrëzova,

u copëtova,

u lodha,

u luta,

u ngrita përsëri.

Dhe sot,

kur i shoh plagët e mia,

nuk i fsheh më.

Le t’i shohë bota!

Sepse ato nuk tregojnë

se sa shumë kam vuajtur,

por sa shumë kam mbijetuar.

Ato janë dëshmitare

të një lufte

që jeta mendoi se do ta fitonte.

Por nuk e fitoi.

Sepse mundi trupin tim,

por nuk mundi shpirtin.

Më mori shumëçka,

por nuk ma mori forcën

për të thënë:

“Jam ende këtu!”

Prandaj,

mos më shiko plagët

me mëshirë.

Shikoji me respekt.

Sepse aty është historia

e një gruaje

që jeta u përpoq ta shkatërronte…

por nuk ia doli kurrë.

/QendraPress/