Fryma  poetike e së dielës me poeten;- Barie ÇUPI

Pabarazi stinore.

————————–

Entuziaste,

gazmore,

pranvera pozon krejt hijeshi,

rini e përjetshme,

finesë robëruese,

ku çdo shpirt,mbi petale flenë i qetë,

aty ku në mijëra shekuj,

në mijëra libra,

u rrëfye çdo poet.

e rrezet bien mbi degëpjeshkën e përthyer,

fletë,fletë bëhen hijet,

I kuqërremtë dielli pikon mbi frutin e saj,

tutje-tëhu një erë e butë pak oratore,

e shpenguar panorama mikluese,

zbavitëse,

pabarazi stinore.

është vera që ndalon mondane,

mbytur në pastelet e ujta e të lehta,

e si thotë askujt se vjeshta është gjuetarja,

që u vardiset ngjyrave,

e ëmbël ato i skicon,

ndërsa dimri ua ngrin shkëlqimin,

nga bluja në grinë modeste,

kryevepër e natyrës që nuk aludon.

e vazhdojnë në pafund,

e ngujohen në fantazi,

fjalët rrëfyese të poetëve,

riprodhuar,

idealizuar,

fshehur përherë nën rrënjët e çastit më të nxehtë,

ndërsa në erëmirat lule,

do t’i kthej herën tjetër të gjitha fjalët e mia,

ku çdo stinë të ndihet konteshë,

çdo stinë të ulërojë nga bukuria.

/QendraPress/