Fryma  poetike e së dielës me poeten;- Linda SHAQIRI

Ne nuk jemi heshtje

———————————-

Nuk jemi ata që heshtin,

as ata që ulin kokën

kur padrejtësia ecën me këpucë të shtrenjta.

Ne jemi zëri që nuk e blen dot askush,

as me premtime,

as me frikë.

Ti dhe unë,

s’jemi thjesht një histori zemre.

Jemi një betejë që nis me ndjesi,

por mbaron me dinjitet.

Në një botë që e shet të vërtetën me zbritje,

ne e mbajmë të shenjtë —

si një fotografi që nuk zbehet kurrë.

Unë të dua jo vetëm kur buzëqesh,

por kur flet drejt,

kur s’trembesh nga rruga e gjatë,

kur zgjedh të mos jesh pjesë

e një turme që klith për pushtet.

Ka nga ata që do të qeshin,

do të thonë: “Ëndërrimtarë…”

Por ne e dimë:

ëndrrat nuk janë për të fjetur —

janë për të ndezur botën.

Prandaj ecim,

me fjalën tonë si armë,

me dashurinë si mburojë,

me nderin si dritë që s’fiket.

Sepse po,

bota është e ashpër.

Por të drejtët nuk humbasin.

Vetëm vonojnë pak…

para se ta fitojnë betejën.

/QendraPress/