Fryma poetike e së dielës me poeten;- Rudina Muhahrremi BEJA

PA HARTË

—————————-

Si mund ta masim veten me hijen e të tjerëve,

kur secili prej nesh është një dritare e padukshme,

ku dielli hyn në majë të gishtërinjve,

një ëndërr që s’ka nevojë të zgjohet,

një kopësht i fshehur ku çelin lule të panjohura,

me aromën e paharruara të kujtimeve.

S’mund ta masim dot veten me hijen e të tjerëve,

kur secili është poezi që ecën zbathur,

mbi fletët e bardha të jetës së tij,

është hëna që kalon nëpër mendime,

pa kërkuar duartrokitje yjesh,

veç një copë qiell ku të prehet.

E si mund ta masim veten me hijen e të tjerëve,

kur secili prej nesh është një botë që endet… pa hartë?

/QendraPress/