Çaste poetike me poeten:Farie BISHA

Të gjesh veten diku…
—————————
është fat,
por një fat pak i ngatërruar
si fije merimangash nën rrezet e hënës,
aty-këtu ndriçojnë grimza drite.
Të zbulosh hijet që flinin gjumë,
mund për surprizë të dalin dhe demon
që ndoshta s’i njihje.
Megjithatë, ato transformohen,
si përzierje e padukshme eliziri
e kthehen në një dashuri të bukur.
Fati ndjek hartat e veta,
në konstelacione të çuditshme,
formula abstrakte lëvizëse.
Nëse kthen kokën pas,
kupton se i ke pasur gjithmonë me vete
përzierjen e saktë kimike,
atë shkëndijë energjie, forzë jete.
Magjia
është aty,
tek reaksionet dhe eksperimentet e pazgjidhura…
Ndjek itinerarin e fshehtë
dhe elementet i lidh sërish, si magnet,
aty ku ishin shkëputur…
Shpirti, si pasqyrë, reagon
për t’u gjetur sërish
ato elemente-lidhje
në një formë të re,
veçse në një shkallë tjetër lartësie…
Farie Bisha. Luzern 9.6.25
/QendraPress/