Çaste poetike me poetin;-Enver SAHITI

Jeta si pika vese
———————–
Pika vese të kësaj bote
Veç mëngjesi i hershëm i përqafon,
E kur dielli mbulon pllajat,
Ato humben në horizont.
Si ëndrrat që nata na i fal,
E agimi ngadalë i tret,
Lënë veç gjurmë në kujtesë,
Si një këngë që larg po mbet.
Mbi petalet e një trëndafili,
Shkëlqejnë si margaritarë të rrallë,
Një çast jetojnë në dritë,
Pastaj treten pa lënë fjalë.
Ashtu kalojnë edhe stinët,
Me ngjyrat që koha i ndërron,
Asgjë s’mbetet përherë e njëjtë,
Veç kujtimi që na shoqëron.
Dhe njeriu në rrugën e jetës,
Si pika e vesës shtegtar,
Shkëlqen pak nën rrezet e kohës,
Pastaj bëhet kujtim i bardhë.
Prandaj sa jemi mbi këtë tokë,
Të falim dashuri pa kursim,
Se jeta është vesë e mëngjesit,
Një çast drite në përjetim.
/QendraPress/