Latifi: Shteti pa institucione funksionale, komunat pa adresë kujt t’i drejtohen

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, vë në dukje pasojat konkrete në qeverisjen lokale për shkak të ngërçit politik në nivel qendror.
Ai në intervistë për Ekonomia Online, tha se mungesa e institucioneve të reja ka ndikim të drejtpërdrejtë në punën e komunave.
“Kjo ndikon edhe në komunat e Kosovës, edhe në komunën tonë. Mbi të gjitha, një shtet pa Kuvend të konstituuar, pa qeveri me fuqi të plotë, është dëm i madh për interesin e shtetit, si në raport me komunat, me zhvillimet, në jetën reale, por edhe në raport me jashtë. Është pasqyrë shumë e keqe nëse shteti ynë edhe pesë muaj pas zgjedhjeve nuk ka Kuvend dhe ka një qeveri që nuk e dimë a është qeveri në detyrë a është në dorëheqje. Është një situatë e paqartë, e cila e ngarkon me probleme shtesë Kosovën, rrjedhimisht edhe komunat”, tha Latifi.
Ai shtoi se mungesa e Kuvendit dhe e një qeverie funksionale ka bërë që komunat të mbesin pa adresë të qartë, duke krijuar konfuzion edhe për çështjet më bazike administrative dhe buxhetore.