Çaste poetike me poeten;-Meri BO

Frymëmarrje!
——————-
Gjethet bien me to bien edhe kujtimet.
As flladi më i lehtë s’i kursen,
si plagë që hapen vetë.
Gjaku i ëndrrave të humbura njollos
gjithçka që ka mbetur. Stinët më vijnë pas.
Qëndroj në cep të rrugës, ngarkuar
me faj, si një gjethe që s’e di pse ra.
Shpëtoj nga gjithçka përveç
ëndrrave që s’u bënë dot.
Në kokë më ndizen pamje,
copëza peizazhesh të bukura,
si vende që i kam pare
vetëm në imagjinatë.
Udha ime ka shumë nyje të paçelura.
Çdo mëngjes, retë bëjnë zhurmë.
Drita mungon.
Zërat e qeshur janë larg.
Nëpër rrugë rriten
vetëm bimë të egra.
Shqisat më dorëzohen,
si gjethet që prehen
pa zë mbi tokë.
Gjithçka ngjyroset me një
të kuqe të brendshme si
plagë që pikturojnë heshtjen.
Edhe zogjtë janë larguar.
Dhe unë shtrihem,
e marr frymë lirshëm,
si në fillim të një rruge të re.
Qielli i natës s’është më i rëndë
është dritë që pret të zbardhë.
/QendraPress/