Fryma poetike e së dielës me poetin:-Gëzim AJGERAJ

THIRRJE KTHIMI
————————————
Më merr në krahët e tu të lehtë,
ti, malli im,
mos më lër të humbas në hartat e harresës.
Më kthe atje ku dashuria më pret,
ku çdo përqafim është një rit i shenjtë.
Se rrugët e jetës na i dogjën ëndrrat,
na i kthyen në pluhur.
Më ço edhe një herë,
Ti malli im,
më ço në vendin ku vegimet marrin frymë
Aty ku nata dhe dita bashkohen dhe nuk munden
t’i ndajnë përqafimet
Se vitet na u tretën si hije dhe harresa
na mbyti pa mëshirë.
Më merr, para se të jetë tepër
vonë më merr,
ti malli im
/QendraPress/