Çaste poetike me poeten;-Drita Rubjeka ZENELI

Çaste poetike me poeten;-Drita Rubjeka ZENELI
Fasadë
———————–
Fasada nuk është themel e as shtyllë,
Pa trarë që dhembin kur mbajnë peshën,
E nuk bëzajnë.
Fasadat të marramendin ndër ngjyra,
Por koha s’të fal në dalëbojë…
Në fillim ishin mure, pa fjalë shkruar
Më pas njeriu i zbukuroi,
Sepse nudot e së vertetës i vrasin sytë,
E kështu lindën ngjyrat që fshehin plagët.
Koha, koha, mjeshtre e heshtur e ironisë,
E di mirë si t’i shpërblejë ngjyrat,
Të zbehen me dinjitet,
Si premtimet në fletë programi.
Ah, njeriu, kjo arkitekturë e ndjeshme,
Mbulon brishtësinë me gurë fjalësh,
Ngre fasada morale me tulla frike,
E pastaj çuditet pse bie shi brenda vetes.
Edhe perënditë kanë fasada,
Veçse i quajnë “qiell”.
Dhe ndoshta gjithë kozmosi
është vetëm një stuko e bukur,
Mbi boshësinë që dot nuk e pranojmë…
/QendraPress/