Fryma poetike e së mërkurës me poetin:-Gazmend BEQAJ

Kënga e motrës
————————–
Mu bë qejfi që të pashë
mbrëmë në televizion
motërza ime
ani që ishte inçizim i vjetër
zëri yt i mëndafshtë
mallshëm shpërhapej
nëpër vetminë e dhomës tënde
Sytë tu mbushen n’vaj
dhe s’të zë në faj
dhemb sa shumë dhemb
kur shkëputet nga pema e jetës
dega më e bukur
dega më e njomë e saj…
Mu bë qejfi që të pashë
mbrëmë në televizion
motërza ime
ani që heshtja jote
aq dhimbshëm shpërfaqte
boshllëkun në shpirt
që bart mallkimi i fatit të zi
dhe pafuqinë tënde
për ta ndryshuuar rrjedhën e tij
Mu bë qejfi që të pashë
mbrëmë në televizion
motërza ime
gjersa jehona e zërit tënd të ëmbël
përpëlitej nga dhimbja
nëpër vjeshtën e moshës tënde
më shikoje në heshtje
duke e bindur veten dhe mu
se tashmë ke gjetur
urtinë e moshës së thinjur
paqen dhe qetësinë
në shpirt e mëndje
në thellësitë e vetes tënde…
/QendraPress/