Çaste poetike me poeten;- Emine Konushevci DURMISHI

Larg dhe Lart

——————

Aty ku qielli dhe deti puthiteshin,

Si dy sy të palosur në qepallë,

Nën valën e ujit të kristaltë si loti,

E fshehur dashuria – margaritar.

Si buzët e puthitura, uji me zjarr,

Etje e pashuar, e pafund, e paskaj,

 Shikime të kryqëzuara nga atje lart,

 Dashuri e paprekshme – margaritar.

Një dritë dukej në sipërfaqe qiellore,

Zëri yt më vinte me yjet që nuk i njoha,

Era më fliste me gjuhën tënde t’hyjnisë,

E në dallgë ruhej një premtim i rinisë.

Kur nata zbriste si një vello mbi ujë,

Me yje si fjalë që nuk u thanë kurrë,

Në pritjen e dritës, zemra rrinte zvarrë,

Si kandil i harruar në detin margaritar.

Ti ishe atje, në mes të asaj pafundësie,

Ku deti hesht e qielli merr frymë thellë,

Në çdo horizont që kurrë s’guxova t’prek,

Ti rron si kujtim që kurrë s’ka me u tretë!

/QendraPress/