Çaste poetike me poeten;- Luljeta F. LUBOVCI

Rrobat elegante sonte i vesha
————————————–
Rrobat elegante sonte i vesha,
si atë natë që më the “je e bukur”,
era sillte aromën e trëndafilit,
e drita dridhej në sytë e tu të butë.
Në hapat e mi ndjej përsëri muzikën,
atë vals që s’u harrua kurrë,
fustan i njëjtë, por pa dorën tënde,
që më mbante lehtë, si një lutje e bukur.
Kujtimet më prekin supet ngadalë,
si duar që s’kanë më trup,
por kanë mbetur në ajër si aromë nate,
në një sallë ku hesht dashuria.
Rrobat elegante sonte i vesha,
jo për dikë tjetër, por për atë kujtim,
se disa netë s’kthehen më kurrë,
por jetojnë në pëlhurën e shpirtit tim.
/QendraPress/