Fryma poetike e së dielës me poeten:Florinda PLAKIQI

Larg teje Prizren!
——————————-
– malli im që i bën ballë luftës,
kundrejt njërit e gjithë turmës.
Vargjet e lashta të çdo rrethi,
t’rishkruar me diellin “me dhëmbë” t’sodit,
shpirti i shetitur në enigma t’motit.
Pelerinë me flutura tek sa thahet në diell,
lulja më e fisme që të shkulin për therrë,
që kur s’shuaj etjen nga krojet tua,
ngado më shkelë këmba, jam veç një e huaj.
Aroma e fëmijës
që mbytë mure t’mykura,
dhe unë me këtë mallë,
për dy kacidhe që t’më mbajë buka.
Bjeshka e zanave ku ëndrrat nisin
e larg teje kthehen në ters,
lutu për së gjalli a për eshtra
fati në ty dikur të m’i kthejë!
Tabani im ku qahet shpirti,
në zambakë rrugën e shoh nga këtu.
Kur të vjen dita ma lexo librin,
mbi urë guri kur lashë këta sy!
/QendraPress/