Çaste poetike me poeten;-Blerina BEHARI

Vitet dhe njeriu
—————————
Vitet shuhen si flakë të lindura nga pafundësia,
Pulsime që ngrihen dhe treten në rrjedhën e kohës.
Si një liqen pa brigje ato mbajnë mbi gjoksin e tyre
yjet e largët, të cilët fiken në heshtje .
Kujtimet ngrihen si dallgë të pambarimta
dhe godasin brigjet e shpirtit,
ku rri pezull një qetësi pa emër, pa ngjyrë,
një qetësi që as koha nuk e fshin.
Rrugët e lashta, të mbuluara me pluhur shekujsh,
ruajnë nën çdo hap gjurmët e atij që s’kthehet më.
Si një libër i amshuar, faqet e tij të zverdhura
mbartin rënkime që askush s’i dëgjon,
lule të fjetura që flenë nën qefinin e heshtjes.
E vërteta frymon mbi hije që vërdallosen ,
e vjen e shkon pa zë.
Syri që guxon të shohë përtej kohës
humbet në humnerën e zbrazëtisë;
shpirti kërkon të kapë atë që zemra pëshpërit
nga thellësitë e së shkuarës.
Pasqyra e jetës rri e varur mbi greminë,
si një çengel i padukshëm që mban botën pezull.
Ndërsa yjet, si lot të qiellit,
bien e shuhen në harresë.
Fytyra e njeriut bëhet mozaik i plagëve të kohës,
gdhendur në shpirt si ikonë e pashlyeshme.
Si një pemë e stërlashtë, të cilën koha s’e shemb dot,
rrënjët e tij ngulen thellë në shtratin e kujtimeve,
dhe prej aty ngrihet zëri i përjetësisë.
Blerina Çifliku Behari
/QendraPress/