Çaste poetike me poetin;-Sami MULAJ

ANI, ANI…VDEKJA KA NISË ME ARDHË

————————————————

Vdekja ka nisë me ardhë…

Kapuçët e gjunjëve me eshtnit e

kembëve kanë nisë me u zanë,

rezët e dyerve

kanë ngelë pa vaj,

ditë e natë rrinë tuj cijatë…

E prapë kurr nuk ndalem,

deri në fund kam me ecë.

Vdekja ka nisë me ardhë,…

Kurrizi nuk është ma drejtë,

mullar bari

njanue prej bore,

hangër fundin

prej dhenëve n’trolli

pa e sos dimri krejt.

E prapë ashtu me kurriz të kthyem

deri në fund nuk do të ndalem, kam me ecë.

Vdekja ka nisë me ardhë…

Gjyksi gjuhet hucla,

kërcet kokrrizi n’shikulla n’bjeshkë,

fryma hyn e del ngadal

pa u ndie

si postagjia nën brrylë t’lokës,

n’margëz t’oxhakit tuj u

zhagitë poshtë e përpjetë.

E prapë do të marrë frymë

deri në fund,

kurr nuk do të ndalem,

kam me ecë.

Vdekja ka nisë me ardhë…

E kryet ka nisë t’ushtoj,

vegshi me çorbë plancash

n’prush tuj u derdhë,

hini e avulli nuk le me i pa

 veringtë e oxhakit vjerrë.

E prapë kryet do ta çoj

deri në fund,

me kryet lart kurr nuk do të ndalem,

kam me ecë.

E në fund,

kur trupin tim

ta mbulojnë me dhe,

vdekjes do i them

kot e ke moj bushtër,

e n’gjuhën time të dytë,

fak ju ( fuck you ).

Mbaje trupin tim ku të duash,

e kur të duash,

në vendlindjen time

shpirti im ka me ecë.

/QendraPress/