Kosova në udhëkryq: mes rrumbullaksimit të shtetësisë dhe rrezikut të zhbërjes./Nga Ruzhdi GASHI

Pas më shumë se një çerek shekulli lirie, Kosova gjendet sërish në një udhëkryq të madh historik. Në njërën anë qëndron rruga e përpjekjes për ta përmbyllur shtetësinë, për t’u integruar në NATO, Bashkimin Evropian dhe për t’u ulur në OKB si shtet i barabartë me të tjerët. Në anën tjetër, rreziku i zhbërjes, ndarjes apo dobësimit të saj po shfaqet gjithnjë e më hapur – herë përmes presioneve të jashtme, e herë përmes gabimeve të brendshme.

Proces i papërfunduar i shtetësisë

Pavarësia e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, ishte fitore e madhe kombëtare dhe ndërkombëtare, por jo fundi i rrugës. Rrumbullaksimi i shtetësisë nënkupton ndërtimin e institucioneve të forta, drejtësi funksionale, ekonomi të qëndrueshme dhe përfaqësim të denjë në arenën ndërkombëtare.

Për fat të keq, ky proces ka ngecur. Një pjesë e klasës politike është zhytur në luftë për pushtet, duke harruar që shteti kërkon përkushtim dhe vizion afatgjatë. Populli është lodhur nga premtimet, ndërsa energjia kombëtare është shpërdoruar në grindje të kota politike që vetëm e dobësojnë shtetin.

Rreziku i ndarjes dhe i zhbërjes

Serbia nuk e ka ndalur kurrë përpjekjen për ta mohuar shtetësinë e Kosovës. Me diplomaci agresive dhe ndikim në veri, ajo vazhdon të punojë për ta mbajtur Kosovën “çështje të hapur”. Por një rrezik tjetër po shfaqet edhe brenda vetë shoqërisë sonë: propaganda e disa grupeve dhe subjekteve politike që nën flamurin e “bashkimit kombëtar” bie në frymën e sabotimit të shtetit.

Këto përpjekje, ndonëse të maskuara me ndjenja patriotike, në thelb përputhen me idenë dhe programin serbosllav për zhbërjen e Republikës së Kosovës. Çdo tentim për ta relativizuar shtetin apo për ta paraqitur si projekt të përkohshëm, është dëm i drejtpërdrejtë ndaj sakrificës së brezave që luftuan për liri.

Modeli i ri i bashkimit kombëtar

Bashkimi i shqiptarëve sot nuk realizohet me zhdukjen e kufijve, por me forcimin e shtetit të Kosovës dhe bashkëpunimin e ngushtë kombëtar në të gjitha fushat: politikë, ekonomi, arsim, kulturë dhe diplomaci. Ky është modeli modern dhe realist i bashkimit – përmes integrimit euroatlantik dhe përforcimit të republikës, jo përmes shkatërrimit të saj.

Forcimi i Republikës është rruga e vetme për ruajtjen e sovranitetit dhe për ta bërë Kosovën faktor të rëndësishëm rajonal. Vetëm një Kosovë e fortë mund të jetë ura që lidh shqiptarët në një hapësirë të përbashkët politike e kulturore në Ballkanin Perëndimor.

Nëse dështon rrumbullaksimi ndërkombëtar

Megjithatë, nëse bota demokratike euroatlantike – me SHBA-në në krye – nuk arrin ta përmbyllë procesin e shtetësisë së Kosovës, duke siguruar anëtarësimin e saj në OKB, NATO e BE, atëherë shqiptarëve nuk do t’u mbetet rrugë tjetër veçse orientimit drejt bashkimit në një shtet të përbashkët. Kjo nuk do të ishte dëshirë romantike, por domosdoshmëri historike për të mbrojtur ekzistencën kombëtare dhe për të siguruar paqe e qëndrueshmëri.

Përfundim

Kosova nuk duhet të jetë terren për eksperimente politike apo për përplasje të brendshme, por simbol i pjekurisë dhe qëndrueshmërisë kombëtare. Sot, më shumë se kurrë, ajo ka nevojë për unitet, për vizion dhe për besim në veten. Vetëm përmes forcimit të Republikës mund të arrihet rrumbullaksimi i shtetësisë dhe realizimi i ëndrrës shekullore të bashkimit kombëtar në kuptimin modern e demokratik të fjalës.

Kosova është vepër e gjakut, jo e retorikës. Ajo duhet mbrojtur me përgjegjësi, ndërtuar me dije dhe përfaqësuar me dinjitet – sepse shteti është forma më e lartë e ekzistencës së një kombi të lirë.

Me 13 nëntor 2025

K o s o v ë/QendraPress/