Togeri Shaqir Bytyçi njofton për vjedhjen në Prizren, mbi 50 mijë euro stoli ari

Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Prizren, togeri Shaqir Bytyçi njofton se të shtunën në Prizren ka ndodhur një vjedhje që konsiderohet vjedhje e rëndë. Me datë 15 nëntor 2025, rreth orës 17:00, Policia ka pranuar informatën për një rast të vjedhjes së rëndë në një shtëpi banimi në Lagjen ‘’Dardania’’, në Prizren. Patrulla policore dhe ekipet hetimore i janë përgjigjur menjëherë thirrjes, dhe në vendngjarje është konstatuar se persona deri më tani të paidentifikuar kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e viktimës F/Sh/K, në një kohë ende të pacaktuar. Sipas deklarimit të ankueses, nga brendia e shtëpisë janë vjedhur një sasi e konsiderueshme e arit/bizhuterive të arit, me vlerë rreth 50,000 euro. Në momentin kur dyshohet se është kryer vjedhja, askush nuk ka qenë i pranishëm në shtëpi. Ekipet policore kanë kryer veprimet e para hetimore në vendngjarje dhe për rastin është njoftuar Sektori Rajonal i Hetimeve Prizren. Hetuesit rajonalë janë duke punuar me përkushtim dhe pa ndërprerje për identifikimin dhe kapjen sa më të shpejtë të autorëve të këtij rasti. Policia inkurajon qytetarët që të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në zbulimin e rastit.