Çaste poetike me poeten;- Rajmonda Qose SHKOPI

Zemra ethshëm regëtin

———————————–

Në ç’gjethe a në ç’kodër fshihesh,

Që s’të shoh e bukura Doruntinë

Si vallë nuk ma gjurmon dhimbjen,

Frymëmarrjen e trishtimit tim?

Vrullshëm ndër deje gjaku pulson,

E zemra ethshëm regëtin,

Kërkoj në çdo qoshe e plaskomë

Thërras : Ku je Doruntinë?

Mbi Pegasus do flatroj

Prej botës së errët terr

Tokës do i bie rreth e qark ,

Në vjeshtë, dimër dhe verë.

Teksa kërkoj të të ndjej aromën,

Nxitimthi hijen tënde ta ndjek pas,

Për gryke më zë frika e humbjes

Dhe hapin më shumë e ngas.

Pranverës do i marr prehrin

Të ulur të qëndrojmë të dy,

Dashurinë që ta mbajta fshehur,

Do plas po s’ta thashë në sy.

/QendraPress/