Çaste poetike me poeten;-Majlinda PAJAJ

Të puthem me ty, pranverë
—————————————-
Të puthem me ty, pranverë e butë,
kur prilli më zgjon si një lindje e re,
si një kujtim që s’ka pasur fund,
por rikthehet çdo vit veç për ne.
Në çdo lule që çel me ngadalë,
ndiej emrin tim të shkruar në dritë,
si një datë që s’është thjesht kalendar,
por një arsye pse zemra rreh më fort çdo ditë.
Përroi këndon si mendim i lirë,
rrëshqet mbi gurë si kohë që s’ndalet,
më fton të humbas në rrjedhën e tij,
ku çdo kujtim në heshtje mbahet.
Drenusha ndalet e më veshtron…
si të më njohë nga një botë e vjetër,
më thotë pa fjalë, bëhu ti,
se e vërteta s’ka nevojë për tjetër.
Në livadhe shtrihem mes gjelbërimit,
dhe pyes veten kush jam në të vërtetë,
një çast i humbur në frymën e infinitit…?
apo një shpirt që lind çdo prill përsëri vetë?
Cicërima e zogjve më zgjon në agim,
si një këngë që s’kërkon kuptim,
më mëson se dashuria është fillim,
dhe fundi… veç një tjetër udhëtim.
Dhe kështu të puthem, si pranverë pa zë,
në ditën time që lulëzon në prill,
se unë nuk linda thjesht për të qënë,
por për të dashur… si natyra që s’di të ndalë një trill.
MAJL
NEW YORK
/QendraPress/