Çaste poetike me poeten;- Tixhe Rexha- GËRQARI

NË AEROPORT

————————

Në aeroport nuk ndahen vetëm njerëzit

aty ndahet edhe heshtja.

Valixhet janë më të rënda se pesha e tyre.

Brenda tyre futet shtëpia

nëna, baba, vllau, motra….

Lamtumirat nuk thuhen,

ato mbeten mes buzëve që nuk mbyllen dot.

Në aeroport nuk ka veç udhëtime

ka ndarje që nuk shërohen.

Në aeroport pashë

burra që fshehin lotin pas syzeve,

dhe nëna që e mbajnë zemrën me dorë

se mos u bie përdhe.

Atë ditë e pashë nënën si largohej prej meje

nga dyert që hapen e mbyllen

duke më mbetur në sy.

Nuk e di a u ndamë atë ditë

apo ende po ndahemi,

kështu ndihem sot në aeorport…

Kurbeti nuk është vend,

është një boshllëk

që mësohesh ta mbash me vete.

Dhe ne u bëmë më të pasur në tryeza,

por më të varfër në atë që nuk blihet.

Dhe kështu jetojmë të shpërndarë,

si sende pa vend,

duke mbushur shtëpi të huaja

me një jetë që nuk është e jona.

Në aeroport mbetet gjithmonë diçka,

një lot pa rënë, një fjalë pa u thënë,

një përqafim që ende pret….

/QendraPress/