Çaste poetike me poetin;-Nexhbedin BASHA

SKËNDERBEU, SULLTAN MBI SULLTANËT!

———————————————————–

Një emër Gjergj e kish si Dielli,

Tjetrin Skënderbe si Hëna n’qiell,

Në kaltërsinë e moteve të Arbërit

Shndriti si yll që s’njeh perëndim.

Tek ngjyej penën të shkruaj për heroin,

Cep më cep Atdheut shtegtoj me mall,

Muza më rrëshqet si valë e Drinit,

Në Sinë të Dibrës ndalem e flas.

Kullat e lashta e kalatë tregojnë bëmat,

Për Kryetrimin me zemër çelik,

Që si luan përballoi sulltanët,

Dhe mbrojti Arbërinë me gjak e shpirt.

Sulltan mbi sulltanët ishte vetë Ai

Në mendje, në shpatë e në urti,

Si diplomat bashkoi princërit shqiptar,

Për flamur, për tokë, për liri.

Ditaret tona s’i gjen të shkruara,

Se flaka e pushtuesit shumë i dogji,

Historia e Gjergjit rron si poezi në çdo varg,

Në shkëmbinj, në kështjella, në këngë bariu.

O Hero Kombëtar, burrë i hekurt,

Që kombit i fale nder e lavdi,

Nga Lindja gjer në Perëndim historia të thërret:

“Ku je, o trim Gjergj Kastrioti Skënderbeu…”!

Si tufë thuprash bashkove Arbërinë,

Se veç e veç thyheshin në darë,

Ti mbete prijës ndër shekuj i lirë,

Pasues i denjë i ilirëve krenarë.

Dhe sot mbi trojet shqiptare arbërore,

Jehon emri yt në çdo flamur,

Se liria ka rrënjë të thella, sa vetë toka,

Kur vaditet me gjak e burrëri.

/QendraPress/