Çaste poetike me poeten;-Jetina BUSHI

Labyrinth i një kohe të lodhur!

——————————————-

Të sjellësh një jetë në këtë botë të marrë,

Është guxim i madh, a thua është mëkat???

Mbi supe peshon një ankth i paparë,

Që gjumin ta vjedh e ta kthen në natë.

Jashtë, rruga rri zgjuar si bishë e tërbuar,

Ku rrotat e makinave nuk njohin mëshirë.

Dëshiron ta lësh fëmijën të lirë…të gëzuar…

Por frika të thotë.. “Brenda është më mirë!”

Dhe brenda, në dhoma, në qetësi të rreme,

Telefoni si magnet ia vjedh fëmijërinë.

Syte mbyllur mbi ekrane, në botë virtuale,

Ku bota e vërtetë humbet krejt lirinë.

Në shëtitje.. e mban përdore,e shtrëngon fort,

Sikur…. çdo hije që kalon mund të jetë rrëmbyes.

Në një kohë ku siguria është bërë një short,

Dhe njeriu për njeriun mund të jetë gënjeshtar e thyes.

Po xhepi??? Po buka??? Çmimet që fluturojnë,

Si re të zeza mbi tryezën e varfër.

Si do t’i rrisim??? Si do t’i ushqejmë???

Kur e nesërmja duket kaq larg e asgjë s’është afër.

Dhe vjen dita e shkollës, aty ku dija shkëlqen,

Por pas bankave fshihet thika e bullizmit.

Një fjalë e rëndë që shpirtin e njomë ia gjen,

Dhe ia vret ëndrrat në emër të cinizmit.

Në këtë rrëmujë, ku prindi s’ka frymë,

Kërkon sytë e gjyshit, atë krahun e ngrohtë.

Por vatra është ftohur, s’ka më asnjë rrymë,

Se gjyshi sot punon, në këtë të egër botë.

Shtatëdhjetë vite mbi supe, e prapë nxiton,

Pensioni i largët si mirazh që s’e kap.

Pleqëria nuk gëzon pleqërinë, por vetëm punon,

Duke lënë nipërit vetëm, në çdo hap.

Vrapojmë gjithë ditën si hije pa emër,

Të lodhur në shpirt… të shkrehur në trup…

Prindi pa kohë, me ankthin në zemër,

Gjyshi pa forcë, në një jetë që vec këput.

Jetojmë në stres, në një rend pa busull,

Ku lindja e një fëmije të jep drithërimë.

Zoti na dhëntë forcë, në këtë botë të ngushtë,

T’i mbrojmë këta engjëj nga kjo e egër zhurmë.

JETINA BUSHI!

/QendraPress/