Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

LABIRINTI I INTERESIT

———————————-

Ndoshta nuk ishte njeriu ai që trokiti,

por hija e etjes së tij.

Ne gabojmë kur besojmë, se takojmë njerëz,

në të vërtetë, shpesh takojmë nevojat,

që kanë marrë trajtën e një fytyre.

Në një bibliotekë, ku çdo libër rrëfen të njëjtën histori

me alfabet të ndryshëm, gjeta një faqe të zbrazët.

Mbi të ishte shkruar vetëm një fjali:

“Asgjë nuk është më e fshehtë

se arsyeja pse dikush të do.”

Atëherë kuptova se zemra është një labirint

që nuk humbet ata që hyjnë,

por ata që kërkojnë dalje.

Disa ecin në të si pelegrinë.

Të tjerët, si hartografë të fitimit.

Ata matin muret, numërojnë portat,

vizatojnë rrugët, dhe largohen

sapo gjejnë thesarin, që kishin imagjinuar.

Por labirinti nuk mban mend këmbët.

Ai kujton vetëm heshtjen.

Kam parë pasqyra, që nuk kthenin fytyrën,

por motivin.

Aty njeriu nuk shihte veten.

Shihte atë që kërkonte.

Disa panë ar, disa pushtet.

Shumë panë duart e mia.

Pak panë plagët.

Dhe vetëm njëri, pa dritën

që plagët ruanin.

Koha, ai bibliotekar i verbër,

i vendos të gjitha marrëdhëniet

në raftin e pluhurit.

Ajo nuk pyet, çfarë premtuam.

Pyet vetëm, çfarë mbeti

kur premtimet u harruan.

Interesi, është një emër

që e shqipton gjithmonë tjetri.

Dashuria, është një heshtje

që nuk ka nevojë për dëshmitarë.

Mbase pema, nuk e njeh sëpatën.

Mbase sëpata, është një degë

që harroi pyllin.

Dhe mbase tradhtia, nuk është prerja,

por harrimi, se dikur ishim i njëjti trung.

Në fund, nuk mbeten as urat,

as lumenjtë, as udhëtarët.

Mbetet vetëm pyetja, që çdo shpirt ia bën vetes,

në bibliotekën pa fund të kujtesës

Kush më deshi mua, dhe kush vetëm kaloi

nëpër emrin tim, si një njeri që kërkon daljen

nga një labirint, që nuk e kuptoi kurrë?

/QendraPress/