Çaste poetike me poeten;-Diana MEHMETI

Urinë për paqe
—————————
Kam urinë për paqe,
në një botë që gëlltit zhurmë
e pështyn heshtje.
Kërkoj një copë qiell
ku fjalët të mos vriten
para se të bëhen zogj.
Dua një dritë
që nuk ushqehet me flakë,
një dorë
që nuk mat forcën me plagë.
Kam urinë për paqe,
aq sa buka nuk më mjafton,
sepse shpirti nuk ngopet
me tryeza të mbushura,
kur zemrat mbeten bosh.
Dhe besoj se një ditë,
kur njeriu të mësojë
të dëgjojë heshtjen,
zhurma do të mbetet
vetëm një jehonë
e një kohë që nuk meriton të përsëritet…
Autore Amb Diana Mehmeti
/QendraPress/