Çaste poetike me poeten;-Farie BISHA

Jetë në copëza lumturie…
————————————
Dallgët, në një ritëm që më kujton Boleronë,
përplasen në brigjet e kristalta helenike.
Të lëmuar nga uji deri në shkëlqim,
gurët e vegjël më ftojnë në një mozaik mendimesh.
Fëmijë veriorë, me pigment të zbehtë,
luajnë zhurmshëm në breg,
ndërsa dielli fshihet ngadalë matanë horizontit.
Një baba mban frymën nën ujë,
me të birin mbi supe,
dhe ai zhytet me kokë në blunë e detit,
duke ndërtuar vetëbesimin.
Të dehur nga ëndrrat,
dy të dashuruar shijojnë çastin.
Si statuja helene të gjalla, vajzat qëndrojnë me
shikimin të ngulur drejt horizontit.
“Perëndeshat e bukurisë”, mendova.
Trupa të gdhendur nga harmonia,
muza që frymëzojnë poetët.
Kur jeta fal bukurinë e freskët,
mungon përvoja;
ndërsa mblidhet mjaftueshëm,
vitet kanë ikur përtej bregut të largët…
Po sikur ti kisha idetë e tanishme
në të njëzetat vitet e mia?
Harta e jetës me siguri do të kishte një itinerar tjetër…
Kërceu mbi sipërfaqe, si një peshk, mendimi.
Kështu kaloi kjo pasdite e nxehtë vere,
mes gurësh të nxehur nga dielli e
mendimesh që lundrojnë si barka.
Jeta rrëshqet ngadalë në copëza kohe,
ndërsa koha mbushet me copëza jete…
Farie Bisha.
26.7.26. Lutraki. Grecce.
/QendraPress/