Çaste poetike me poeten;-Emine Konushevci DURMISHI

E DUA JETËN
———————
E dua jetën,
me shëndet, me dashuri,
me paqe mes njerëzve,
pa mëri e pa zili.
E dua jetën
dhe dua ta shoh botën,
të ngjitem në majat e bjeshkëve,
të hap krahët drejt qiellit
e zëri im të kumbojë
në të katër anët:
E dua jetën!
Në shtatë pashë thellësi
dua sytë t’i tret
nën kaltërsinë e detit,
margaritarët t’i takoj
e për jetën të flas.
Dua në fushat me lule
dhe në ato me gjemba
të eci me këmbë,
dhimbjes t’i ruhem,
por aromën ta përqafoj.
Pemëve t’u zgjatem
frutin për ta marrë,
e të uriturit, me dorën time,
t’ia jap.
E dua jetën!
Sa ta kem shëndetin,
dua të jetoj:
të shoh, të prek, të ndiej,
të dua e të qesh,
të mbledh kujtime
në sirtarin e kohës.
Nesër, kur të plakem,
dua mendjen ta kem të mbushur
me kujtimet e mbledhura
nga shtigjet e jetës.
E kur hapat të më rëndohen,
dua të kthehem pas
dhe të buzëqesh me kujtimet.
Atëherë, brezit që vjen,
nipave të mi dhe mbesës,
dua t’u them:
Duajeni jetën!
Keni shëndet,
mos i bëni askujt të keqen.
Shikojeni botën me sytë tuaj
dhe ndiqni atë që zemra ju kërkon.
Mos kini frikë nga gjembat—
edhe ata janë pjesë e lules.
Sepse jeta
na jepet vetëm një herë.
Prandaj ju them:
DUAJENI JETËN!
/QendraPress/