Beqa për mosvotimin e Trustit: Padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve

                            Beqa për mosvotimin e Trustit: Padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve, me 10 mijë nënshkrime do ta procedojmë prapë Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka thënë se mosvotimi i Projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional në seancën e së enjtes është lajmi më i keq për qytetarët. Beqa ka thënë se kryeministri Albin Kurti gjatë seancës ka bërë presion tek deputetët e tij që mos ta votojnë këtë Projektligj. Deputeti i PDK-së ka thënë se Kurti kishte frikë që disa nga deputetët e tij nuk do t’i binden urdhrit të tij për të votuar kundër. Ai tha se përmes peticionit me 10 mijë nënshkrimeve do të mund të riprocedonin nismën për tërheqjen e Trustit. “Por, mendoj që qytetarët do të gjejnë rrugë të tjera sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës do t’i mbledhin 10 mijë nënshkrime dhe do ta sjellin sërish Projektligjin më kuvendin e Kosovës. Realisht Partia Demokratike shumicën absolute të deputetëve e ka pasur në sallë, për vetëm deputetët të cilët janë me aktivitete zyrtare jashtë vendit. Unë nuk flas për parti të tjera por çdo herë dikush mungon, po ne e kem pa se asnjë votë e mazhorancës nuk ishte pro Trustit. Do të thotë të gjitha votat ishin kundër, për vetëm një votë ishte abstenim”, tha Beqa.