Çaste poetike me poeten;-Abide GASHI

VETMIA E FSHATIT
——————————
Fshati nuk fle më,
ai rënkon në heshtje.
Dyert janë mbyllur me brenga,
dritaret shohin rrugën
që nuk kthen askënd.
Nikoqirët ikën,
dhe morën me vete zërin e jetës.
Në oborre ka mbetur vetëm era,
që përplas kujtimet
si plagë të hapura.
Gjethet nuk fëshfërijnë më,
ato qajnë, për duart që s’i prekin,
për pranverat që nuk kthehen,
Rrugët janë bërë varre të gjalla,
pa hapa, pa fjalë,
veç jehonës së dikurshme
që endet si shpirt i humbur.
Qyqja mbi lisa
s’këndon, vajton,
thërret emra që s’përgjigjen,
thërret një fshat,
që po shuhet ngadalë.
Në pullaze koha ka ngrirë në rrjeta merimangash,
lakuriqët pinë errësirën,
si të ishte gjaku i fundit i jetës.
Mollët u thanë në degë,
dardhat ranë pa u prekur,
si fjalë të pathëna
që u kalbën në heshtje.
Hardhitë presin kot
një dorë që s’vjen me i vjelë.
Rrushi kalbet në vjeshtë,
si shpresa
që nuk u korr asnjëherë.
Në kalldrëm
janë gdhendur gjurmët
jo për t’u kthyer,
por për të dëshmuar
se dikur këtu rrihte zemra e jetës.
Dhe tani vetëm pritje,
Vetëm boshllëk,
Vetëm një fshat
që vdes çdo ditë pa zhurmë,
Por diku, thellë nën këtë heshtje,
një frymë ende nuk është shuar.
Një dritë e vogël
rri fshehur në pragjet e vjetra,
si një kujtim që refuzon të vdesë,
Një ditë do të kthehet një hap,
Pastaj një tjetër.
Do të hapet një derë me ngadalë,
do të dridhet ajri nga një zë fëmije,
dhe heshtja do të thyhet
si akull në pranverë.
Dallëndyshet s’harrojnë ,
kurrë rrugën,
as zemrat nuk harrojnë vendlindjen,
Do të ndizet sërish, tymi në oxhaqe,
do të qeshë toka ,
nën këmbë njerëzish me dashuri,
Dhe fshati ai fshat i plagosur
do të marrë frymë përsëri.
Abide Gashi ; 17 Prill 2026, Mitrovicë
/QendraPress/