Çaste poetike me poeten;- Ermira Tabaku SINANI

Mes dy botëve

———————–

Unë jam një fije drite

e thurur në mes dy agimeve,

ku dielli lind mbi malet e Shqipërisë,

dhe perendon në qiellin e Amerikës.

Në gjakun tim këndon një lahutë e lashtë,

zëri i saj përplaset me ritmin e qytetit,

si një shqiponjë që hap krahët

mbi asfaltin e nxehtë të ëndërrave.

Gjuha shqipe me flet si një nënë e përmalluar,

me perkëdhel me tingujt e saj të butë,

ndërsa anglishtja me merr përdore,

dhe me udheheq në rrugët e së ardhmes,

si një erë që shtyne velat drejt horizonteve të reja.

Jam si një pemë me rrënjë në tokën e Arbërit,

që pinë uje nga kujtimet e gjyshërëve,

dhe me degë që përqafojnë qiellin Amerikan,

ku çdo gjethe pëshpërit një histori shprese.

Valixhja e shpirtit tim është gjithmonë e hapur:

brenda saj aroma e byrekut vallëzon me kafene e mëngjesit,

zëri i nënës dhe i babait shkrihet me alarmin e orës së zgjimit,

ndërsa ëndërrat e mia ecin me hapa të shpejtë,

drejt qiellit me re.

Në festa,

zemra ime vallëzon mes dy ritmesh,

një hap ne vallen e Rugovës,

një tjetër në tingujt e jazz-it,

dhe në këtë ndërthurje, unë nuk ndahem,

por bashkohem në një tërësi te re.

Unë nuk jam gjysmë e asnjërës bote,

por një horizont i dyfishtë,

një urë që nuk lodhet se lidhuri brigje,

një histori e shkruar në dy alfabete,

dhe e lexuar nga një zemër e vetme.

Jam bijë e Shqipërisë dhe Lirisë,

jam zemër që rreh në dy ritme,

një emër që kumbon në dy gjuhe,

Shqiptare Amerikane,

e plotë, e pandarë, e përjetshme.

ETS 2026

USA

/QendraPress/