Çaste poetike me poeten; Donika Stasa DOMI
E VETMJA PERËNDI
( Nënave )
—————————
Ajo…
nuk ish modele pasarelash
as ikonë arti
që pushtonte ekranet
por mirësi e paskajë
i mbushte sytë me dritë
mbi ballin e dritëruar
e paqtë ulej hëna
e bukurinë të pamatshme
e kishte në shpirt
E papërtuar
duarartë ishte Nëna ime
mëndafsh dashurie
thurte n’dritë të kandilit
dimrave i peshonte nata
mbi supet e lodhur
po sërish ditën niste
me yllin e agimit
Nuk i lakohej emri
pritjeve zyrtare
a darkave mondane
ishte thjeshtësi e bukur
der në madhështi
peshë i kish fjala
e kudo lëshonte rrënjë
dhe mbeti kaq hyjnore
si të ish’ mbi tokë
e vetmja perëndi…
/www.QendraPress.com/