Çaste poetike me poeten; Vjollca ALIAJ

Bregut të Hyjnorëve
———————————
Tela me gjëmba, si zgjatje dinozaurësh,
me kryqin e gjëmave mbi shpinë,
fërshëllejnë erën, shkëputur nga zemra e ujërave të virgjëra,
pranverës me lejlekë të trembur
a të vrarë gjetiu.
Duhet të jem në ëndërr,
marrosur pas trëndafilave të erës.
Ndez një duhan nga ai i griri, hollë-hollë;
njolla të murrme kërcejnë cigançe.
Fildishi i hënës shpalos ndërkohë atë thënien e moçme:
— “Ëndrra janë, bën vaki edhe dalin…”
Ky breg u përkiste hyjnorëve.
Më kot i quanin piratë ata që u
mbyllën portat perandorive.
Sidoqoftë, ashtu si lopa, kohërat përtypin
e ripërtypin grushte, shkelma e zvarritje,
në fund, jashtëqitjet i përdorin
për të shkruar faqe të zeza.
/QendraPress/