Çaste poetike me poeten;- Xhuli SPAHIU

Fëmijët e Mi, Atdheu Im

———————————-

Diku në Europë Francë,

Zvicër e në Gjermani,

jetojnë copëza të zemrës sime,

si drita që ndriçojnë larg,

por që ngrohin të njëjtin shpirt.

Kam ardhur nga larg jo për

 të numëruar kilometrat,

por për të mbledhur përqafimet

 që malli i ka ruajtur me vite.

Fëmijët e mi më presin me dashurinë

që nuk ndryshon kurrë,

 dhe unë e gjej veten në

buzëqeshjen e tyre të çiltër.

Nipërit e mbesat,

 këto lule të reja të jetës,

 mbushin ditët me gëzim,

 dhe sytë e mi me dritë.

I dëgjoj teksa flasin në gjuhë

të vendeve ku janë rritur,

 por zemrat e tyre ende njohin

gjuhën e dashurisë familjare.

Sa bekim i madh është çmallja!

Të prekësh duart e fëmijëve,

 të ndjesh afërsinë e tyre,

 të shohësh brezin që vazhdon

si një lumë që nuk shteron.

Sot Europa më duket më e vogël,

sepse dashuria i afron të gjitha largësitë.

Dhe kuptoj se atdheu im i vërtetë

nuk ka kufij e as harta.

Atdheu im janë fëmijët e mi,

 nipërit e mbesat e mia,

dhe dashuria që na bashkon

kudo që jetojmë.

 Zemra nuk banon në një vend,

 por aty ku rrahin zemrat

e njerëzve të dashur.

E Atdheu im janë Fëmijët e mi.

/QendraPress/