Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

KUR SHTËPIA NA HARRON
——————————————
Kur të piqet vjeshta, në mollëzat e fushave,
kur pemët të zhvishen, si njerëz që s’kanë më ç’të fshehin
dhe toka të mbulojë me gjethe, varret e verës,
atëherë ndoshta, do të kujtohemi për rrugën.
Do të kthehemi…
Por rruga nuk do të jetë më ajo, që dikur e njihte hapin tonë,
do të ketë mësuar gjuhën e barit, dhe do të na shikojë
si një plak i harruar, që kërkon në fytyrën tonë, emrin e dikurshëm.
Nëna, eh, nëna…
Ndoshta atëherë, do ta ketë vjelë rrushin, me duar që dridhen nga koha
dhe mbi raftet e heshtura, do t’i ketë radhitur ftonjtë
si kujtime të verdha, për nipër që u plakën larg.
Do të ketë lënë, dardhat e mollët mbi kashtë,
sikur të ruante, një stinë për kthimin tonë.
Por disa pritje, plaken më shpejt se njerëzit.
Dhe kur të mbërrijmë, strehët nuk do të pikojnë më lot,
do ta kenë mësuar heshtjen.
Oborri do të jetë tretur, nën barin e gjatë,
si një kujtim, që askush nuk e ka thirrur prej vitesh.
Porta…
Ah, ajo portë, do të jetë mbuluar nga ndryshku,
një plagë e kuqe në trupin e shtëpisë.
Do ta shtyjmë ngadalë, dhe ajo do të kërcasë
jo nga gëzimi i kthimit, por nga dhimbja,
që dikur e kemi lënë pas.
Qeni i shtëpisë, nuk do të ngrihet.
Ndoshta do të ketë ikur edhe ai në amshim.
Ose ndoshta, qeni është vetëm një metaforë
për kohën:
ai që dikur na njihte nga larg,
sot nuk njeh më as erën tonë.
Loket nuk do të jenë më ulur para portave,
me duart mbi gjunjë, dhe sytë përtej udhës.
Do të mungojnë, ato gra të vjetra
që dinin historinë e çdo hapi, pa pasur nevojë të pyesnin.
Fëmijët e lagjes, do të dalin në prag
dhe do ta pyesin njëri-tjetrin;
Kush është ky?
Dhe kjo do të jetë, goditja më e dhimbëshme e kthimit;
të kthehesh në vendin tënd, dhe të kuptosh
se je bërë i huaj, për kujtesën e tij.
Atëherë do ta kuptojmë
se njeriu nuk largohet vetëm nga vendi.
Largohet pak nga pak, nga vetvetja.
Një ditë nga oborri, një ditë nga nëna,
një ditë nga gjuha e fëmijërisë,
një ditë nga emri që kishte në atë prag.
Dhe kur kthehet, sjell me vete vetëm
një valixhe me kujtime,
që askush nuk di më, ku t’i vendosë.
Prandaj, nënëloke, mos na prit pafund.
Koha është një nënë, që nuk di të ndalet te dera.
Ajo i merr një nga një, fytyrat, zërat, portat,
dhe në fund na lë përballë shtëpisë,
si dy të huaj.
Ne do të vijmë, patjetër do të vijmë.
Por ndoshta, do të jetë shumë vonë
për të gjetur atë që kërkojmë.
Sepse kthimi i vërtetë, nuk është të mbërrish te shtëpia,
është të mbërrish te vetja, para se koha
të ta ndryshojë emrin.
Dhe kur të trokasim, në portën e ndryshkur,
nëse askush nuk hap, mos na qaj, nënëloke.
Ne nuk u vonuam në rrugë;
u vonuam në jetë.
2026
/QendraPress/