Çaste poetike me poetin;-Ylli POLLOGATI
MOS MA SHPËRFILLNI JETËN
——————————————
Mbi një qyrk rrinte pritja.
Vetmia, shtëpisë së braktisur mes letrave
hedhur shuk dhe kopshtit me tela thurrur,
si një ëndërr e harruar.
Dhe unë, gojës pushin e kohës ngatërruar pastroj,
që fjala e lirë të përkundet krahëve të së vërtetës.
Endesha i menduar..
Trungut të një pishe parkut të qytetit një
njeri ulur mbi gjunjë thërriste,
– Dua të jetoj!
Sa bukur është të jetosh si do.
I thërriste jetës, që nuk donte t’ia shpërfillte njeri,
qoftë dhe zyrtar.
Dikur, kishte patur një jetë,
me hekurin e krahasonte.
Burrë i vërtetë, thoshin.
Gjuhën nuk e hidhte si gur i thërrmuar,
ku zhurma i ngjan një “puf-i”.
Diellin pranë tij e shoh,
këmbët ëmbël ia kafshon
dhe më pas përqafuar.
Me dritën e tij një ishte bërë,
po aq i ëmbël e i ngrohtë,
si të ishte dhe ai, një diell.
Me shtetin e të ligun ishte ngrënë..
Ata që i rrinin me dashuri e përgjuan,
e përgojuan
dhe afshin ia thëthinin e
gëzimin ia vodhën,
ligësi rrufjanësh.
Sytë e mi nxitonin drejt lotëve që thërrisnin.
Shumë të tjerë i fshihnin.
Si erdhi një kohë kështu?!
Dhe qyteti i mekur mu duk!
Ylli Pollogati@
/QendraPress.com/