Ceremonia hapëse e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur “PrizrenFest” mbrëmë u karakterizua nga një standard i lartë artistik-nga Agnesa Thaçi Kurejshi.

     Ceremonia hapëse e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur “PrizrenFest” mbrëmë u karakterizua nga një standard i lartë artistik, duke e vendosur menjëherë tonin e edicionit të sivjetmë. Shfaqja “Borderless Body”, e realizuar nga MN Dance Company nga Sllovenia në ambientet e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu”, ofroi një përvojë skenike të ndërtuar me kujdes, ku koreografia, muzika dhe ndriçimi u ndërthurën në funksion të një koncepti të qartë artistik dhe mbresëlënës duke na lënë në pritshmëri për vijueshmërinë e festivalit. Përtej estetikës skenike, “Borderless Body” ngriti një pyetje thelbësore: çfarë ndodh me empatinë njerëzore në një botë ku teknologjia po zë gjithnjë e më shumë hapësirë? Përmes lëvizjes dhe gjuhës së trupit, kjo pjesë teatrale n’a ndërgjegjëson se pavarësisht zhvillimeve teknologjike, aftësia për të kuptuar tjetrin mbetet elementi që na përkufizon si qenie njerëzore. Një pikëpyetje nëse ne po ndërtojmë një të ardhme më të avancuar teknologjikisht, por njëkohësisht më të varfër emocionalisht. Ky reflektim mbi empatinë ishte një nga mesazhet më të fuqishme dhe më aktuale të mbrëmjes, e sidomos me zhvillimet e viteve të fundit në vendet e lindjes. Festivali pati një hapje dinjitoze, artistikisht të fuqishme dhe një sinjal i qartë se edicioni i sivjetmë i “PrizrenFest” synon të ofrojë jo vetëm teatër, por edhe vetëdijësim përmes artit./QendraPress/