E marta poetike me poeten:Vjollca Ajasllari – KONI

ATJE DUA TË JEM!

———————————-

Dua sot të flatroj pa ndaluar,

Me krahët hapur si pulëbardhë;

T’i bie Grevës vërdallë

Atje, ku prehet edhe im atë.

 &  &  &

PSHERËTIJ

————————–

Do të më kërkosh një ditë,

Kur shpirtin të ma rrudhë malli!

Atje, ku vishnja hap kurorën,

E thinjat do më kenë mbuluar ballin!

Ti nuk di për hapat ku i kam hedhur,

Rrugën ku nisa e ndjeshme, e brishtë;

Nuk ke parë as lotin që rrodhi;

Nuk di për dhimbjen që më gërryen në shpirt!

Mbi atë qiell fluturoj me ëndje,

Bëhem flutur mbi mëllagë!

Kur bie nata, kthehem në xixëllonjë,

Sa të vij mbi supe, largohem prapë!

Nuk më tremb e shkuara kohë,

Pse gjurmët skalit mbi gurë;

Nuk fsheh dhimbjen që ndrydh shpirtin

Se kam frikë, rritet më shumë!

Shpeshherë kthehem në ato vise,

Ku amësimi përzihet me erë,

Psherëtij, mallëngjehem e heshtur,

Më kaplon trishtim i mjerë.