E shtuna poetike me poeten;-Elvira ZENELI

NGA PUSI I KUJTESËS

————————————

Sytë e tu, dikur humbje në errësirë,

sot më mësojnë si të shoh —

si të të gjej ty

edhe kur je diku larg.

Gjithçka që prek

ka pak nga ti brenda,

si dritë që s’lodhet

duke udhëtuar në distancë.

Ti je mësimi im pa orë, pa fund,

edhe kur s’flet,

edhe kur zhdukesh në heshtje

që flet më shumë se zëri.

Ne jemi kujtesë që merr frymë:

kthime të vogla,

ujë që e nxjerrim ngadalë

nga një pus që s’mbyllet kurrë —

unë dhe ti.

/QendraPress/