Ekzekutohen pagat e mësimdhënësve, por me vetëm një shtesë prej 50 eurove 

                         Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka ekzekutuar mesditën e sotme edhe pagat për mësimdhënësit. Por, ani pse paga e tyre është marrë e plotë, shtesat prej 50 eurove në kuadër të Pakos për përballje me Inflacionin, janë ekzekutuar vetëm për muajin tetor. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Jasharaj bëri të ditur se shtesa prej 50 eurove e muajit të kaluar nuk është ekzekutuar me pagën e muajit tetor.“Pagat kanë dalë për mësimdhënësit. Ka dalë paga e plot dhe një shtesë prej 50 eurove. Ajo e muajit shtator nuk është ekzekutuar. Po besoj kështu ka ndodhur edhe me sektorët tjerë publik”, tha Jasharaj për Reporteri.net.Në fund të muajit tetor, Ministri Hekuran Murati pati thënë se 50 euro shtesë të muajit shtator nuk do të ekzekutoheshin, për shkak se tashmë pagat ishin procesuar, por në muajin tetor në formë retroaktive do t’i marrin shtesat e muajit shtator dhe të muajit tetor.“Punonjësit e sektorit publik që kanë punuar me orar të plotë gjatë muajit dhe që marrin pagën bazë primare deri në 1 mijë euro e që kualifikohen për përfitim mbështeten me shtesën prej 50 euro nga muaji shtator deri në fund të vitit. Me qenë se vendimi po merret tani dhe pagat tashmë janë procesuar, shtesa për shtator do të aplikohet bashkë me shtesën e muajit tetor”, pati deklaruar Murati./Reporteri.net/