Fryma poetike e së dielës me poeten;-Klara SHEHU

Vorri Ashikut

————————-

Baladë elegjike

Dy zemra rinore, digjeshin në puthje me zjarr.

Buzë udhës së Kavajës, nën një mollë të vjetër.

Vajza e bojarit, me trupin e bukur lastar.

Djali familje e varfër, punonte hyzmeqar.

Një natë vonë në mbrëmje, me plot hënë.

U takuan te burimi, pranë mollës së vjetër.

Me respekt mbi veten, besën e fjalën e dhënë.

U betuan për dashuri, me shpirt dhe me zemër.

Bojari i katundit, ndjenjat nuk përfillte.

Në derë me pasuri, vajzën e premtoj.

Lajmin kur dëgjoj djaloshi, sa s’po vdiste.

Qante i dërmuar: “pa të, s’mund të rroj”.

Erdhi dita e dasmës, me dajre e me krushq.

Nën hijen e pemës së vjetër, në udhë largimi.

Zemra e vajzës rrihte si e zogut në grusht.

Foli djaloshi i rreckosur, me zë trimi.

“O krushq të nderuar, ndaloni vetëm një çast.

Ta dini, nusja që po merrni e imja do mbesë!”

Me duar vajza hoqi duvakun, si i fundit rast.

“E dua – u tha krushqëve – për të do vdes!”

Nga doli plumbi i traditës, mileti ka plot fjalë.

Metali i ftohtë, preu në mes jetën rinore.

Vajza e pa kur djali mbi të ra ngadalë.

“Dashuria ime, kjo botë është mizore”.

Krushqit me lot, në varr djalin vendosën.

Nën mollën, ku dashuria dy zemra preku.

Nga dita të kobshme, mbi varr vendosën.

Gurin me mbishkrim: “Vorri i Ashikut”.

Kur era e lehtë, çdo ditë fillon të fryjë.

Një zë i ëmbël pëshpërit ngadalë:

“Dashuria e dalë nga zemra e shpirtit, s’ka kufij.

Ajo jeton përherë… në jetë apo në varr.”

/QendraPress/