Fryma poetike e së dielës me poetin;-Nexhat ÇOÇAJ

BUKA E HASIT
———————————
Bukë e Hasit, bukë e bekuar,
Me duar, djersë e zemër gatuar,
Nga brezi në brez mbete amanet,
Histori e shkruar në çdo kafshatë.
Me zemër të përmallur të gatuan,
Ndër shekuj duart e hasjanëve,
Në sofrën e çdo vatre të shtruan,
Si dritë shprese për të nesërmen.
Nga Hasi morën udhët e gjata,
Me trastë në krah e mall për pragun,
Pashtrikun pas, në zemër vatrën,
Nëpër botë ndezën zjarrin e furrës.
Në zjarr të furrës, natë për natë,
Me bukën piqej malli për shtëpinë,
E shpresa merrte krahë nga mjeshtri,
T’ia linte zejen brezit që vinte.
Për mikun buka ishte nder,
Për udhëtarin – sofër e ngrohtë,
Në han, në qytet e larg në mërgim,
Hasjani bukën e ndau me tjetrin.
Pesë shekuj udhëve të kurbetit,
Nga Pashtriku larg, nëpër botë,
Çdo furrë e ndezur bëhej një vatër,
Ku prushi i Hasit nuk u shua dot.
Dhe buka udhëtoi bashkë me ta,
Si kujtim i ngrohtë i vendlindjes,
Në çdo kafshatë ruajti një emër,
Në çdo kore – gjurmët e mjeshtrit.
Bukë e Hasit, bukë e bekuar,
Në zjarr të shekujve e sprovuar,
Sa të ketë miell, zjarr e një vatër,
Do të rrojë Hasi në çdo kafshatë.
/QendraPress/