Fyma poetike e së mërkurës me poeten;-Drita Rubjeka ZENELI

Bastuni i kohës
——————————-
Më janë rrudhur mendimet,
Përpiqem t’i mbaj me bastunin e kohës.
Një faqe libri mëngjeseve,
Për të hapur dritaren e ditës.
Një filxhan kafeje
me ty,
Nuk më numëron vitet,
Më flladit buzëqeshjet,
Në duar më dhuron diell.
Mandej eci ngadalë,
Rruga është po ajo,
Po aq e gjatë sa më parë
Por tash ja dëgjoj heshtjen.
Ndonjëherë udhëtoj më gjatë,
Nuk jam në garë me kilometrat,
Garoj me copëza të vetes,
Nëpër damarët e stacioneve të jetës.
Mbrëmjeve argëtohem,
Vallëzoj në dhomëzat e kujtesës,
Miqësive të vërsës, me një këngë, një poezi,
Me një gotë bisede, që zgjat sa nata.
Bastuni im i kohës
nuk është druri mbështetës,
Është gjithmonë një libër,
Është lëvizja akrepore e orës në udhëtim,
E qeshura ndër miq që nuk pranon të plaket…
/QendraPress/